Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit në Komunën e Prizrenit janë raportuar në polici tri raste të dhunës në familje.
Rasti i parë, sipas raportit policor është raportuar në polici më 27 shtator në orën 03:00, ku ankuesi mashkull kosovar ka informuar se i biri i tij në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe familjarëve të tjerë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt, shkruan lajmi.net.
Rasti i dytë është raportuar në orën 13:25 më 28 shtator ku ankuesja femër kosovare ka raportuar në polici se i dyshuari mashkull me të cilin ka qenë duke bashkëjetuar ka ushtruar dhunë ndaj saj.
“Ankuesja femër kosovare ka informuar se i dyshuari mashkull kosovar me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë ndaj saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Rasti i tretë i dhunës në familje është raportuar në polici në orën 14:00 të datës 28 shtator, ku ankuesja femër kosovare ka bërë të ditur se i dyshuari mashkull kosovar me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë ndaj saj.
“Ankuesja femër kosovare ka informuar se i dyshuari mashkull kosovar me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë ndaj saj. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë. /