Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda, në rezidencën zyrtare të këtij të fundit.
Takimi është realizuar gjatë vizitës dyditore të kryeministrit Kurti në Japoni, me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin, Shinzo Abe.
Në një postim në Facebook, kreu i ekzekutivit ka shkruar se kryekuvendarin e Japonisë e kanë falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe kanë shprehur interesim për investime japonoze në Kosovë.
Postimi i tij i plotë:
Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë. Me Japoninë ndajmë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane andaj duhet ta shtojmë bashkëpunimin. Paraprakisht, vizitova ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio ku na u bashkangjit për takim edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Gjergj Teneqexhiu.