Presidenca çeke e BE-së ka bërë të ditur se në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor do të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën. Të njëjtit janë zotuar se do bëjnë çmos që ta fusin çështjen e liberalizimit të vizave në agjendën e ministrave sa më parë.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Presidencës çeke, Václav Smolka, për Gazetën Express, duke konfirmuar se në mesin e shteteve të BE-së ka gatishmëri që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Schengen.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën ndodhet shumë lart në agjendën e Presidencës Çeke. Aktualisht, Komisioni Evropian është duke përgatitur një raport për situatën aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për të nisur një debat për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së. Ky raport pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor 2022”, ka deklaruar ai.
“Presidenca çeke do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta sjellë sa më shpejt këtë çështje në nivelin e ministrave. Mirëpo, përkrahja/miratimi nga Këshilli Evropian (shefave të shteteve) nuk është një parakusht në këtë çështje. Ajo që është me rëndësi, procesi në Këshill që ende mund të zgjasë disa muaj, është në rrugën e duhur. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive drejt një vendimi pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur”, tha më tej zëdhënësi çek.
“Progresi do të varet edhe nga situata e përgjithshme politike në rajon, prandaj Presidenca mbështet plotësisht përpjekjet për një trajektore pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë”, tha ai.
“Takimi i ardhshëm i liderëve në Pragë është një takim joformal pa një agjendë zyrtare. Pritet që takimi, i kryesuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të pasqyrojë sfidat më të urgjente me të cilat përballet BE-ja aktualisht, përkatësisht luftën në Ukrainë dhe sigurinë energjetike dhe ndikimet e saj ekonomike”, u shpreh Smolka.
Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë të publikuar më 16 shtator, ku u bë thirrje për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën u pa gjithashtu si shenjë që mbështetja politike në mesin e bllokut evropian për këtë proces ekziston.