Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot kryetarët e komunave të Kosovës, ku bëri të ditur se qeveria është në fazën e përgatitjes së buxhetit për 2023, ku do të reflektohet një rritje e buxhetit në nivelin komunal prej 15% në raport me vitin 2022.
Ai tha se do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave për vitin 2023.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se komunat kanë nevojë për rishikim të buxhetit. Aliu tha se komunat kanë kërkuar ndihmë për kostot që po prekin buxhetet komunale si pasojë e kontratës kolektive.
“Komunat kanë pasur dhe kanë nevojë për rishikim të buxheteve e cila viteve të fundit nuk ka ndodhur. Komunat kanë insistuar të dinë shkaqet që kanë quar në ndërprerjen dhe anulimin e disa prej projekteve që kanë qenë të nënshkruara dhe të zotuara nga autoritetet qendrore dhe lokale…Komunat kanë kërkuar ndihmë për kostot që po prekin buxhetet komunale si pasojë e kontratës kolektive”, tha ai.
Elbert Krasniqi, ministri i administrimit të Pushtetit Lokal, tha se nëpër vizita kanë evidentuar ngadalësim të projekteve, derisa ka kërkuar nga kryetarët e komunave të bëjnë më shumë.
Takimi i Kurtit me kryetarët e komunave po zhvillohen në Pejë dhe po vazhdon me dyer të mbyllura.