Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë që po u shkaktohet dëm moral dhe financiar atyre për të cilët nuk po miratohen skemat pensionale.
“Eliminimin e një pabarazie të tillë unë po jua marr vetëm me një rast me policët. Të gjithë ata policë të Kosovës të cilët në vitet 90-ta kanë braktisur institucionet e Serbisë dhe disa prej tyre i janë bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të përfitojnë pension kontributpagues për shkak të këtij kufizimi ndërsa ata policë që vazhduan të bashkëpunojnë me Serbinë edhe kanë të drejtë të përfitojnë nga ky projektligj”, ka thënë Haxhiu në parlament.
“Pra janë dy dëme, dhe njëjtë vlen edhe për ata që kanë punuar në institucionet tjera qoftë gjykata, institucione të tjera që kanë bashkëpunuar me regjimin e Millosheviqit deri në 99-ën”.
“Pra janë dy dëme që u bëhet atyre, dëmi financiar dhe dëmi moral. Duhet me e eliminu këtë”.