Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës theksuan sot se nëse sot, më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.
Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës. KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët”, thuhet në njoftim.