Kryeministri Edi Rama ka pritur të premten në një vizitë zyrtare homologun e tij nga Luksemburgu, Xavier Bettel.
Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për medie, kryeministri Rama vlerësoi rolin dhe angazhimin e Luksemburgut për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe për të nxitur bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
“Luksemburgu në tryezën e Bashkimit Evropian është një zë i rëndësishëm dhe për interesimin për rajonin. Përpjekja për të nxitur bashkëpunimin rajonal, përpjekja për të nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për përmwsimin e klimës në Bosnje, po ashtu përpjekja për të nxitur një proces politik stabil në Malin e Zi janë pjesë e agjendës së interesit të Luksemburugut dhe kryeministrit Bettel”, tha ai.
Homologu i Ramës, kryeministri Bettel tha se hapja e negociatave është meritë e Shqipërisë dhe assesi si pasojë e luftës në Ukrainë.
Duke folur për rajonin, Bettel tha se e di që Kosova dhe Serbia po dialogojnë dhe nënvizoi nevojën e progresit në këtë proces.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka qenë “një fuqi baruti” për Evropën dhe se tani duhet të bëhet gjithçka që shmangen konfliktet dhe tensionet shtesë.
“Ballkani Perëndimor ka qenë ‘një fuqi baruti’ për kontinentin tonë dhe duhet të bëjmë gjithçka që ta shmangim. Qoftë ‘Open Ballkan’, qoftë të flasim me njëri-tjetrin. Unë e di se Kosova dhe Serbia po diskutojnë dhe sot është e rëndësishëm të bëjmë përpara dhe nuk duhet t’ia lejojmë vetës konflikte dhe tensione shtesë”, shtoi ai.
I pyetur nga gazetarët, kryeministri Rama foli edhe për arrestimin e dy shtetasve rusë dhe një ukrainas në Shqipëri. Pretendimet për spiunazh, Rama i vlerësoi më shumë si qesharake.
“Mjegulla e ngritur për të ashtuquajturit objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012. Faktikisht kanë statusin e ShPK-ve që janë të falimentuara dhe janë deri në pikën ku nuk kanë mundësi të paguajnë ju fiken edhe dritat. Kanë edhe disa roje që janë aty për të mbrojtur atë perimetër nga zaptimet e të tjera. Tash të thuhet se po bëhet spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është shumë qesharake. Ndërkohë, ajo që na shqetëson ne është se këta persona çfarë qëllime të vërteta kanë në vendin tonë. Një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë sportive që duket se thërret se ejani më kapni se jam pak e veçantë është pak qesharake”, tha ai.
Krahas këtyre, Rama nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet për politikën e brendshme në Shqipëri dhe nisjen e hetimeve për ish presidentin Ilir Meta. /kp/