Cristiano Ronaldo po mendon të largohet nga Manchester United dhe është në kërkim të një klubi të ri, me të cilin do të mundë të luante në Ligën e Kampionëve.
Por, ylli portugez nuk e ka thënë asnjëherë zyrtarisht se e do largimin nga “Djajtë e Kuq”, shkruan “Gazeta Express”.
37 vjeçari përfundoi në bankinë në dy ndeshje nga tri sa i zhvilloi Man Utd këtë sezon deri tash në Premierligë.
Mbrëmë u inkuadrua në lojë vetëm në fund të takimit në derbin e madh anglez dhe ky u konsiderua si një poshtërim që ia bëri trajneri Erik ten Hag atij.
E për të ardhmen e Ronaldos ka folur shoku i tij i skuadrës dhe njëherësh bashkëkombësi i tij, Bruno Fernandes, i cili nuk është që dha shumë detaje.
“E ardhmja e Cristiano Ronaldos? Unë ndoshta mund ta di njërën gjë apo tjetrën, por nuk do të jem personi që mund ta thoshte këtë”, deklaroi përfaqësuesi portugez për “Eleven Sports”, përcjell “Gazeta Express”.
“Për momentin, ai është lojtar i United, është i qetë. Nëse do të largohet apo jo, ai do të flasë shumë shpejt, siç edhe e ka thënë”, përfundoi Fernandes.
Ronaldo ishte rikthyer vitin e kaluar në “Teatrin e Ëndrrave”, por dëshiron të largohet në 10 ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.