Përfaqësuesit e Listës Serbe sot kanë mbajtur një konferencë për media, ku kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka mbështetjen e serbëve të Kosovës për gjetur një zgjidhje kompromisi mes palëve.
Rakiq ka përsëritur deklaratën e djeshme të Vuçiqit duke kërkuar që “KFOR-i të mbrojë serbët në Kosovë”.
Në konferencën e djeshme, Vuçiq ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve nga Kosova për një zgjidhje kompromisi për çështjen e targave dhe dokumenteve.
Pas takimit me përfaqësuesit serbë nga Kosova, Vuçiq në një adresim drejtuar kombit tha se nuk e di se cila do të mund të jetë zgjidhja e kompromisit për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.
Kujtojmë se këto çështje së fundmi shkaktuan tensione në veri të Kosovës, me ç’rast Qeveria e Kosovës pas kërkesës së SHBA-së, pezulloi vendimin për reciprocitet në targa dhe dokumente.