Për krizën energjetike dhe rikthimin e reduktimeve të energjisë elektrike pas disa viteve, po fajësohen qeveritë e kaluara dhe ekzekutivi i tanishëm.
Për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku po fajëson politikën, duke thënë se sektori i energjisë kërkon një konsensus politik.
Kosova, sipas tij, këtë krizë energjetike nuk do ta kishte sikur ta zhvillonte projektin e Termocentralit “Kosova e re”.
Profesori universitar, Çeku në intervistën për KosovaPress, thotë se të vetmet zgjidhje të krizës energjetike në vend janë ndërtimi i blloqeve të vogla deri 200 megavat në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Brukselin si dhe zhvillimi i sektorit të energjisë së ripërtritshme.
“Është problem i madh çështja e energjisë elektrike dhe furnizimit me energji elektrike, u prishën projekti Kosova C(Kosova e Re), nuk u zhvilluan ato projekte dhe dihet pse. Dhe tani ne duhet të mendojmë seriozisht, por që nevojitet një konsensus i përbashkët mes pozitës dhe opozitës për një plan zhvillimor në fushën e energjisë… A është me faj kjo qeveri për krizën aktuale? Po, normal. Të gjithë kemi faj, të gjitha qeveritë bartin përgjegjësi kur është ndërprerë projekti “Kosova C” që ishte paraparë për prodhimin e 1000 megavat orë energji elektrike, dhe që do ta zgjidhte problemin e Kosovës për energji. Dhe u ndërprit ai projekt, dhe të gjitha investimet janë bërë të përkohshme”, thotë Çeku.
Çeku, që shërbeu si ministër në periudhën 2002-2004, thotë se e vetmja zgjidhje e problemit në fushën e energjisë në Kosovë, përpos energjisë alternative është hapja e mundësive të ndërtimit të blloqeve të vogla deri 200 megavat, në koordinim me Bankën Botërore dhe Brukselin.
“Në vitin e ardhshëm kriza sigurt do të thellohet, sepse do të bien blloqet prapë. Blloku A5 dhe blloqet e tjera të ‘Kosovës A’, janë pothuajse të vdekura, i kemi shfrytëzuar jashtë normales… E vetmja zgjidhje e problemit në fushën e energjisë në Kosovë, përpos energjisë alternative është hapja e mundësive të ndërtimit të blloqeve të vogla 200 megavat në koordinim me Bankën Botërore dhe Brukselin për lejimin e ndërtimit. Gjermania i ka rikthyer termocentralet me linjit, po ashtu edhe Polonia, si dhe Evropa është duke i rikthyer termocentralet me linjit. Dhe vendi ynë me 11 miliardë tonelata linjit që nuk dimë se çka të bëjmë me këtë, ne nuk po mund të ndërtojmë një termocentral me 300 megavatë. Është absurde që mos të na lejojnë të ndërtojmë ndonjë bllok me kapacitete të tilla, apo të hyjmë me rehabilitim të thellë sikur vendet e rajonit”, thekson ai.
Profesori universitar, Çeku thotë po ashtu se duhet të hapen mundësitë për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.
“Nuk u ndërtuan blloqet energjetike të Kosovës së Re, por ishte e nevojshme që të zhvillohet sektori alternativ sikur solare që ka një predispozitë, me hidro nuk ka kushte për t’u zhvilluar në Kosovë, por ajo solare dhe ajo me erë mund të bëhet, prandaj duhet të liberalizohen investimet, të hapen dyert për sektorin privat për investime më të fuqishme dhe të zhvillohet”, thotë ai.
Profesori Çeku pret që kriza energjetike të thellohet në dimrin që po vjen dhe gjatë vitit të ardhshëm.
KEDS-KESCO janë duke aplikuar reduktime të rrymës në vend tash e një javë, nga dita e hënë, 6 orë me rrymë dhe 2 pa të.
KOSTT ka njoftuar se instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës që do të thotë sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg: Furnizuesi Publik (KESCO) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).