Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se zyrtarëve të OKB-së do t’u jepet leje të inspektojnë impiantin bërthamor në Zaporizhia. Kremlini e bëri njoftimin pas një bisede telefonike mes Putin dhe homologut francez Emmanuel Macron.
Ndërkohë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se një vizitë e inspektorëve ndërkombëtarë do të bëjë të mundur rivendosjen e sigurisë në vend, por ai shtoi se detajet specifike të misionit janë ende duke u diskutuar.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes më 19 gusht, Zelensky tha: “Me këtë mision, mund të fillojë rivendosja e sigurisë së plotë në impiantin bërthamor të Zaporizhias dhe në Enerhodar [qyteti ku ndodhet centrali bërthamor]”.
Por ai paralajmëroi se nëse “shantazhi rus mbi radioaktivitetin” vazhdon, “kjo verë mund të hyjë në historinë e vendeve të ndryshme evropiane si një nga më tragjikët e të gjitha kohërave”.
Rusia duket se ka hequr dorë nga kërkesa e saj që inspektorët duhet të udhëtojnë nëpër territorin e kontrolluar nga Rusia. Nëse konfirmohet, misioni mund të sjellë një ulje të mundshme të krizës rreth objektit bërthamor.
Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, tha se ishte i gatshëm të drejtonte vetë një vizitë në impiant. Gjatë një vizite në portin e Odesës, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përsëriti thirrjen për demilitarizimin e centralit bërthamor, që ndodhet nën kontrollin e rusëve, nga frika se mund të ndodhë një katastrofë. /