Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës mbrëmë rreth orës 21:10 në rrugën ‘William Walker’ në Prizren, pasi të njëjtit u kapën me drogë.
Burimet kanë bërë të ditur se Policia kishte ndalur veturën ku ndodheshin dy të dyshuarit, D.P, dhe H.Sh., ku gjatë kontrollit kanë vërejtur poshtë karriges së pasagjerit një qëse të zezë, në të cilën sipas të dyshuarve kishte substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Kjo ka bërë që dy të dyshuarit të arrestohen menjëherë dhe ndërkohë ka vazhduar kontrollimi i veturës ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale mbi 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, vetura ku ndodheshin të dyshuarit, mulli për bluarjen e marihuanës, telefona celularë, para të gatshme dhe 2 thika.
Për rastin u kap edhe dilleri i cili dyshohet se ua kishte sjellë drogën të dyshuarve nga Shqipëria. S.M., u arrestua në Vërmicë dhe atij iu sekuestruan telefoni personal dhe vetura me të cilën po udhëtonte.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.