Të enjten në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovës-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së.
Zyra e informacionit e BE-së ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq do të fillojë në orën 10:30, me pjesëmarrjen edhe të emisarit special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.
Takimi do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit.
Ai gjithashtu do të trajtojë çështjet aktuale dhe do të synojë zbutjen e tensionit aktual në terren, thuhet në njoftim.Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.
Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EbS.Kryeministri Kurti të mërkurën në Bruksel ka zhvilluar takime me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg.
Kurti ka thënë se nuk ka ndonjë mënyrë tjetër përveç zbatimit të vendimit, kur është pyetur nga gazetarët në Bruksel nëse është e mundur tërheqja nga vendimit për targat e lëshuara nga Serbia. Ai ka theksuar se implementimi i vendimeve është në dobi të të gjithëve.