Bashkimi Evropian ka disa vite që është duke ndërmjetësuar dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë pavarësisht arritjes së disa marrëveshjeve, problem kyç është implementimi i tyre.
Kosova dhe Serbia edhe përkundër se kanë kaluar dhjetë vjet negociata, vazhdojnë të kenë probleme të mëdha, probleme të cilat po e mbajnë ende të trazuar rajonin.
Ivana Stradner nga Instituti amerikan “Enterprise”, ka thënë se rreziku i dështimit të BE-së në Ballkan rrezikon t’i humbasë bllokut evropian në tersi besueshmërinë.Ajo gjithashtu ka shprehur skepticizmin e saj sa i përket takimit të ardhshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel.
“Kam frikë se BE-ja nuk e ka një plan të qartë për Ballkanin. Ky është shqetësimi im kryesor pse nuk kam shumë shpresë për takimin e ardhshëm se do të zgjidhë të gjitha problemet që kanë ekzistuar për më shumë se një dekadë. Ky do të jetë një test serioz për BE-në, nëse ata do të jenë të gatshëm dhe në gjendje të zgjidhin këtë krizë përpara vjeshtës. Duhet sa më shpejtë të veprojnë, sepse kohët e fundit ata njoftuan zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe u dhanë vendeve të tjera si Moldavia mundësinë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Nëse ata nuk dërgojnë një sinjal të fortë në Ballkan atëherë pikëpyetja për vende si Ukraina dhe Moldavia, do të ishte nëse zotimi për zgjerim i BE-së është një premtim i rremë”, ka thënë Stradner për Zërin e Amerikës.
Ajo tutje ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian duke thënë se kanë bërë një mori gabimesh deri tani.
“Bashkimi Evropian ka bërë një mori gabimesh deri më tani pasi ka përdorur shumë më tepër karrotën se sa shkopin. Por, çështja tjetër është: pse BE-ja, sidomos pas deklaratës së para disa vjeteve të presidentit francez, Macron për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së nuk e bën të qartë nëse ky zgjerim është i vërtetë apo jo? + Unë mendoj se duhet të merremi edhe me udhëheqësit në Perëndim, ata duhet të jenë të sinqertë dhe ta bëjnë të qartë nëse vërtet i duan ata të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, sepse në përgjithësi korrupsioni në Ballkan është shumë i lartë dhe shumë vende momentalisht nuk janë demokraci të plota”, shton më tej Stradner.