Javëve të fundit Kosova po udhëhiqet nga frika gjersa deri më sot kishte edhe siguri psikologjike, vlerësoi ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj.
Këto komente Hoxhaj i bëri në dritën, e siç e quajti ai “lëkundjeve nga sllogani në sllogan”, referuar kthimit në diskurs të temës së luftës nga kryeministri dhe presidentja.
Postimi i tij i plotë:
As edhe në ëndrrën më të keqe nuk e kam paramenduar që politika e jashtme të lëkundet nga sllogani në sllogan, pa qëllime dhe pa strategji! Një sllogan nga Qeveria e dëgjuam në muajin janar të 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotoheshin të mos e sulmojnë njëra-tjetrën! Një sllogan të ri e dëgjuam dje nga Presidentja e Kosovës për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë!
Konceptualisht, marrëveshja për mos sulm dhe e traktatit të mbrojtjes reciproke, i takojnë kohës në mes të dy luftrave botërore! Në një kohë të sotme kur edhe Suedia dhe Finlanda po anëtarësohen në NATO, duke kërkuar mbrojtje kolektive nga ajo!
Ideja e traktatit të mbrojtjes është serioze vetëm nëse do të ishte diskutuar dhe koordinuar paraprakisht me Shqipërinë! Të mos shpallet vetëm si sllogan, duke pasur në krah, pa paralajmërim, Presidentin e Shqipërisë, që u zu në befasi dhe nuk tha asgjë në konferencë për media!
Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë! Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të!
Jam shumë për bashkëpunimit me Shqipërinë, si adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik! Por, shqetësimi kryesor është paaftësia e tyre për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t’u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s!
Agresioni rus duhet të përdoret për të rritur kapacitetin tonë ushtarak, për ta izoluar Serbinë në rajon dhe anëtarësuar Kosovën në NATO. Është ajo që po e mbron Evropën dhe mbron shtetet.
Kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, qëllimisht po mbjellin një armosferë frike, duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me sllogane të politikës së jashtme!
Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit po udhëhiqet nga frika! Kjo nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak! Kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri. Nuk është kohë e parullave si frymëzime të çastit drejt moçalit politik, nga ku s’mund të dalim assesi! Tani, takimin e 18 gushtit, a do ta filloni nga mos sulmi, apo nga mbrojtja?