Reduktimet e energjisë elektrike janë rikthyer sërish sot. Kështu ka bërë të ditur për Demokracia.com zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Buzhala ka thënë se të martën kufizimet kanë filluar nga ora 9:00, derisa ka shtuar se arsye për reduktime është meqë furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.
“Edhe sot nga ora 9 kanë filluar kufizimet e energjisë elektrike. Që 1 vit e më shumë e kemi bartur krizën në supet tona. Aktualisht kufizimet parashihen të jenë 2 orë pa energji elektrike dhe 6 me energji. Alternativa e kursimit të energjisë duhet të aplikohet. Gjithashtu duhet që çmimi të reflektojë koston dhe të ketë infuzion financiar për sistemin elektroenergjetik. Dihet se ishin planifikuar të jepen 90 milionë euro, porse ato para nuk janë dhënë asnjëherë dhe kjo e ka zhytur në kolaps sistemin elektroenergjetik”, ka thënë ai.
Ndryshe, të hënën Ministria e Ekonomisë njoftoi se është kthyer normaliteti dhe se do të ketë furnizim të rregullt, por kanë lënë të kuptohet se mund të ketë përsëri reduktime në ditët e ardhshme.
“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim.”, thuhej në komunikatën e ME-së.