Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq, ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për akuza, siç i quan ai, të panumërta e të pa mbështetura në drejtim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe Milan Radoiçiqit.
Siç raportojnë mediat serbe, Rakiq e pa si të çuditshme që Sveçla t’u fliste serbëve në Kosovë për shtetin e së drejtës, derisa dërgon njësinë speciale në veri të vendit, përcjell lajmi.net.
Ai kinse është shqetësuar edhe për mosliberalizim vizave për kosovarët, si dhe inflacionin në Kosovë.
“Asnjë gënjeshtër kundër zotit Radoiçiq që thoni ju, zoti Sveçla, nuk do të zvogëlojë përgjegjësinë tuaj për ngritjen e tensioneve dhe rrezikimin e paqes, as që ju i premtuat popullit shqiptar një jetë më të mirë, duke i sjellë atij qindra probleme, duke filluar nga ulja e pagave, shkuarja e inflacionit në 15 për qind, mosliberalizimi i vizave, shkatërrimi i sistemit arsimor, social dhe shëndetësor, mungesa e investimeve të huaja, mungesa e vendeve të punës etj”, citohet të ketë thënë Rakiq.
Ministri nën Qeverinë Kurti ka kërkuar nga ekzekutivi kosovar miratimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit, si dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ditë më parë, ministri Sveçla akuzoi Vuçiqin për orkestrim të sulmit kundër Policisë së Kosovës tek Liqeni i Ujmanit, të cilët u gjuajtën 10 herë me armë zjarri.