Drejtori ekzekutiv i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Universitetit të Prishtinës, po i dëmtohet imazhi çdo ditë, duke përmendur rastin e raportimeve për plagjiaturë nga disa profesorë.
Madje, ai tha se plagjiatorët duhet të sanksionohen dhe për këtë përgjigja duhet të vije nga Këshilli i Etikës dhe senati i UP-së.
Sipas tij, ajo se çka duhet të bëjë MAShT-i është që përmes Ligjit të ri për arsimin e lartë të përcaktojë se kush është ndëshkueshmëria dhe kush është perceptimi i institucioneve për plagjiatin.
“Universiteti i Prishtinës veçse e ka imazhin e dëmtuar. Mund të jetojnë iluzionin e kinse të bërit shkencë mirëpo UP dhe të gjitha universitet tjera janë larg shkencës. Plagjiatorët duhet të ndjekin dhe duhet të sanksionohen dhe p0ër këtë përgjigja duhet të vije nga organet e brendshme n ë këtë rast nga këshilli i etikës dhe senati i UP-së. Pra të japim një shembull të mirë të ndëshkimit të plagjiatorëve. Unë vlerësoj që organet e brendshme duhet të sanksionojnë kush është ai sanksionim. Iu ngelet që të përcaktohen sipas rregulloreve të brendshme të universiteteve publike”.
“Sa më i fuqishëm sanksionimi aq më parandalues do të jetë për të tjerët që potencialisht mund të iu shkojë mendja që të avancohen me plagjiat. Ministria e Arsimit është e rëndësishme të komunikojë përkushtimin institucional kundër plagjiaturës dhe që komunikim i këtij të bëhet përmes anëtarëve të këshillave drejtues që MAShT i ka si përfaqësues në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë në vend. Ajo çka MAShT mund të bëjë është që përmes Ligjit të ri për arsimin e lartë të përcaktojë se kush është ndëshkueshmëria dhe kush është perceptimi i institucioneve për plagjiatin”, tha Qehaja.