Së shpejti, pritet të fillojë procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, që ishte paraparë të mbahet në vitin 2022.
Kështu theksuan drejtues të Agjencisë se Statistikave të Kosovës për Radio Kosovën , për të shtuar se “ për këtë proces, ky institucion i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme”.
Kuvendi i Kosovës, javë më parë, miratoi në lexim të dytë Ligjin për regjistrimit e popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë. Rreth këtij procesi i cili pritet të fillojë së shpejti, drejtori i Departamentit për Statistika Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati i tha Radio Kosovës, për këtë proces, ky institucion i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme” dhe se brenda pak muajsh pritet të fillojë regjistrimi i popullsisë.
“ Ligji për regjistrimin e popullsisë në Kosovë është aprovuar në muajin korrik në lexim të dytë. Në kuadër të ligjit janë të definuara disa aktivitete apo vendime që duhet të merren nga qeveria dhe kuvendi. Duhet të përcaktohet data e fillimit të regjistrimit të popullsisë nga ana e qeverise dhe nga ana e kuvendit duhet të miratohet Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë”, ka thënë Kastrati.
Sipas Kastratit, ky proces i planifikuar të kryhet më herët, është shtyrë për shkak të disa procedurave që është dashur të kalohen, andaj si i tillë, ai paralajmërohet që të fillojë më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm.
“ Diskutime ka pasur në vazhdimësi në lidhje me ketë proces por si dokument zyrtar nuk pasur ndonjë datë të caktuar. Pikësynim ka qene viti 2022, se viti 2021 ka qenë sfide pandemia ku edhe në fillim të vitit 2022 na ka përcjell kjo situate dhe për arsye se disa vendimeve që është dashur të merren ky proces me se largu do të filloj në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka shtuar ai.
Regjistrimi i popullsisë është planifikuar të behët në terë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe pjesën veriore të vendit, e të cilin më herët banorët e komunave me shumicë serbe e kishin refuzuar. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011. Nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë.