Policia e Kosovës ka njoftuar se ditëve të fundit, si shkak i raportimeve të qytetarëve për “zhurmë të bezdisshme”, në Mitrovicë kanë gjobitur tetë pronarë të lokaleve të gastronomisë.
Kështu është bërë e ditur në komunikatë dërguar për media, duke paralajmëruar për masa të njëjta edhe në ditët në vijim.
“Gjatë ditëve të fundit qytetarët në Mitrovicë janë ballafaquar me problemin e zhurmës, pasi që lokale të ndryshme të gastronomisë në Mitrovicë kanë shkaktuar zhurmë të bezdisshme (muzikë me ton te lartë)”, thuhet në komunikatë.
“Policia ka marrë masa të menjëhershme dhe gjatë kësaj jave ka shqiptuar gjoba ndaj tetë (8) pronarëve apo personave përgjegjës të lokaleve të gastronomisë apo subjekteve juridike. Gjobat janë shqiptuar në bazë të autorizimeve dhe kompetencave policore dhe duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike”, vijon ndër të tjera komunikata.