Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka takuar Ambasadorin e Shtetit të Katarit në Tiranë, jo-rezident në Republikën e Kosovës, Ali bin Hamad Al-Marri.
Siç njoftohet, në takim u diskutua për mundësitë dhe format e bashkëpunimit në fushën e shërbimeve shëndetësore ndërmjet dy vendeve, duke marrë për bazë marrëdhëniet e shkëlqyera reciproke diplomatike.
Latifi shpalosi para Ambasadori Al-Marri disa nga prioritetet kryesore në procesin e transformimit të sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës, e ku partneriteti dhe përkrahja nga vende partnere si Katari do të ishte tejet e rëndësishme.
Në takim Latifi shfrytëzoi rastin që të ri-përsërit ftesën për realizimin e një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës të Ministres së Shëndetësisë së Shtetit të Katarit, Dr. Hanan Mohamed Al Kuwari, dhe falënderoi për kontributin që ky shtet i ka dhënë Kosovës gjatë viteve dhe gjatë pandemisë, gjithashtu.
Ambasadori Al-Marri nga ana e tij shprehu gatishmërinë për të mbështetur thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona edhe në fushën e shëndetësisë.