Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Stoltenberg ka thënë se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.
“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg.
Ndryshe, vendimi i Qeveria e Kosovës për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimi, solli të dielën tensione dhe dhunë në rrugët e veriut të Kosovës.
Pas paralajmërimit të masë së reciprociteti serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Në këto dy pika pati edhe tensione mes policisë së Kosovës dhe serbëve që bllokuan rrugë. Bile sipas policisë, pati edhe të shtëna me armë. Këto dy pika u mbyllën, dhe u kërkua nga mërgimtarët që të përdorën rrugë tjera alternative.
Reciprociteti u shtye për 30 shtator pas kërkesës së ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili takoi në mënyrë urgjente krerët e shteti.
Pasi qeveria vendosi ta shtyjë zbatimin e vendimit, dje gjatë ditës u hoqën barrikadat, dhe vendimi u pezullua zyrtarisht. Deri në atë kohë, mbi 1 mijë dokumente u lëshuan për serbët që kishin pasaporta e letërnjoftime të Serbisë.