Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se sa i përket vendimit për reciprocitet në dokumente, do të kërkojnë zgjidhje kompromisi në Bruksel.
Për televizionin serb ‘Tv Pink’ ai është shprehur se Beogradi nuk do të lejojë që të anulohen dokumentet serbe.
Nuk ka më lëshim të dokumenteve hyrëse-dalëse që Prishtina ka dashur t’ua imponojë qytetarëve të Serbisë që hynë në Kosovë. Në këtë mënyrë ne jemi kthyer në një pozicion ku të gjitha këto çështje mund t’i diskutojmë në Bruksel”, është shprehur Petkoviq.
“Do të jetë një luftë e fortë dhe intensive për të normalizuar situatën me zgjidhje kompromisi. Prandaj është e nevojshme të jemi në Bruksel. Nuk kemi ikur nga dialogu”, ka shtuar ai.
Ai ka bërë të ditur se Vuçiq e ka refuzuar takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në Bruksel më 19 korrik me arsyetimin se kanë qenë të përgatitur për atë që do të ndodhte më 1 gusht.