Drita synon ta eliminojë Antwerpin sonte
Drita do të zbresë në fushën e blertë sonte me synim të qartë: gjilanasit synojnë të kalojnë në rrethin e tretë kualifikues të Conference Leagues.
Skuadra gjilanase barazoi me Antwerpin në udhëtim pa gola javën e kaluar, ndërsa tash e ka mundësinë ta presë një biletë për në fazën tjetër, në ndeshjen që do ta zhvillojë sonte në “shtëpi”.
“Intelektualët” bënë lojë të mirë edhe në ndeshjen e parë në Belgjikë dhe kjo jep shpresë që ata do ta përsërisin atë, por që do të jenë më konkretë dhe të shënojnë gola këtë radhë, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri Ardian Nuhiu është shprehur optimist para lojës së sontme, ku Drita do ta ketë përkrahjen e madhe të tifozëve të saj në stadium.
“Skuadra jonë është mirë, futbollistët janë maksimalisht të fokusuar dhe kanë motiv të veçantë përpara ndeshjes së kthimit me Antwerpin. Realisht është një mundësi shumë e mirë për të kaluar tutje, sidomos pas rezultatit në ndeshjen e parë. Kundërshtari nuk është aspak i lehtë, pasi bëhet fjalë për një ekip agresiv që bën presion të lartë dhe ka lojtarë cilësorë në përbërje. Sigurisht se do të jetë e vështirë”, ka thënë fillimisht trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
“Mirëpo, për të gjitha këto, jemi të përgatitur dhe besoj edhe në një paraqitje tjetër të mirë të ekipit. Uroj të bëjmë një ndeshje të madhe, pasi kemi besim të plotë në vete, dhe të vazhdojmë garat në arenën ndërkombëtare”, vazhdoi ai.
Trajneri i suksesshëm është i bindur se përkrahja e tifozëve do t’ua bëjë më të lehtë punën lojtarëve të tij.
“Presim mbështetje masive për këtë ndeshje, jo vetëm nga tifozët tanë, por nga e gjithë Kosova dhe synimi është që ta bëjmë krenar të gjithë Kosovën. Nëse kalojmë tutje, do të ishte një arritje shumë e madhe jo vetëm për klubin tonë, por për të gjithë futbollin e Kosovës. Besoj se do të japim më të mirën për të kaluar tutje”, është shprehur tutje Nuhiu.
Ndërsa, kalimin eventual tutje të ekipit Bardhekaltër, Nuhiu e konsideron si një arritje të madhe për futbollin kosovar, i cili këtë sezon po përfaqësohet me katër skuadra në Evropë.
Nga ana tjetër, edhe belgët i kanë synimet e tyre për t’u kualifikuar tutje nga kjo përballje.
Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Antwerpit do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 20:00. /Gazeta Express/