Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Kosovës dhe takimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me krerët e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti të martën në Departamentin e Shtetit, është mirëpritur edhe nga opozita në vend.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së nuk është përmbyllur suksesshëm asnjë projekt gjeostrategjik në kontinentin evropian.
“Ne në Kosovë e dimë këtë më së miri! Shpresoj që udhëheqësit e Institucioneve të Kosovës t’i kenë kuptuar drejtë mesazhet e Sekretarit të Shtetit Blinken. Mirëmbajtja e status quo-së në dialogun Kosovë-Serbi i shkon për shtatit Serbisë dhe forcave destruktive në rajonin tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërkaq kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se SHBA-ja ka konfirmuar edhe njëherë lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës.
“Mirëpres mbështetjen e ShBA-së për Kosovën përmes fondit të MCC-së dhe takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin Blinken. ShBA, edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në procesin e dialogut.
Tani është koha për marrëveshjen finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-ve”, ka shkruar Haradinaj.
Të martën, sekretari Blinken priti në Departamentin e Shtetit presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Sipas njoftimit nga DASH-i, u diskutua për partneritetin ndërshtetëror e për dialogun me Serbinë.
SHBA-ja ka përsëritur qëndrimin se dialogu duhet të mbyllet me marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.Ndërkaq krerët e Kosovës e kanë quajtur të shkëlqyeshëm, të përzemërt e fort të dobishëm, takimin me Blinkenin.