Numri i rasteve të reja me COVID-19 ka filluar të rritet kohëve të fundit.
Sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Kosovë aktualisht janë 9,300 raste aktive, prej tyre, 978 u regjistruan vetëm në 24 orët e fundit.
Gjatë këtyre 24 orëve, në Kosovë gjithashtu u regjistruan edhe tri raste të vdekjes, ndërsa u shëruan edhe 1,083 pacientë.
Ajo që bie në sy është se numri i personave që po vaksinohen është tepër i ulët, saqë në 24 orët e fundit janë vaksinuar vetëm 18 qytetarë.
Në anën tjetër, me dozën e parë në Kosovë janë vaksinuar mbi 900 mijë qytetarë, me të dytën mbi 820 mijë, ndërsa me të tretën vetëm 104 mijë.
Me dozën e katërt janë të vaksinuar vetëm 1067 persona.
Pavarësisht rritjes së rasteve, përveç disa postimeve në Facebook, institucionet e Kosovës ende nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete.