Gjykata Themelore në Gjakovë të enjten ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit SH.P i cili akuzohej se kishte tentuar ta vrasë ish-bashkëshorten e tij me një tavolinë druri, duke e goditur atë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit
Shpallja e aktgjykimit u bë të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sulltan Dobraj, ku i akuzuari SH.P u dënua me 8 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këtë rast trupi gjykues ka njoftuar që është bërë rikualifikimi i veprës penale ku me këtë rast i akuzuari Sh.P, u dënua për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore ndaj ish-bashkëshortes së tij, e jo siç pretendohej në akuzë e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, vepra penale e vrasjes së rëndë e mbetur në tentativë.
Të akuzuarit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Pala e dëmtuar, A.A, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, mbrojtja kishte theksuar se i akuzuari kishte qenë i gjykuar edhe më herët për veprën penale të dhunës në familje, por që rasti ndodhet ende në Gjykatën e Apelit.
Gjykata Themelore në Gjakovë, më 10 tetor 2022 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Sh.P., dhe e kishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për akuzën se tentoi ta privonte nga jeta ish-gruan e tij. Po ashtu, të njëjtit iu shqiptua edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim në institucionin shëndetësor, përkatësisht në Institutin e Psikiatrisë në Prishtinë.
Por, Gjykata e Apelit pas ankesës së Prokurorisë për shkak të lartësisë së dënimit si dhe ankesës së mbrojtjes, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin, sipas vendimit të përpiluar më 12 janar 2023, e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Ekspertiza psikiatrike kishte konstatuar se i akuzuari vuan nga çrregullimi organik i personalitetit dhe në momentin e kryerjes së veprës penale, aftësia për të kuptuar dhe kontrolluar pasojat e veprimeve të tij ka qenë e zvogëluar në shkallën esenciale.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i akuzuari Sh.P, më 19 dhjetor 2021, në Gjakovë, me dashje dhe me mjet të fortë tenton ta privojë nga jeta ish-bashkëshorten e tij, A.A.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike i njëjti kishte shkuar në banesën e të dëmtuarës për të biseduar rreth pajtimit mes tyre për hir të djalit, papritmas i njëjti fillon që ta përkëdhelë dhe përqafojë të dëmtuarën, e njëjta refuzon, i akuzuari në shenjë nervoze e kapë për fyti e gjuan për dysheme, derisa të dëmtuarës fillon t’i humb vetëdija, për një moment kur fillon të kthjellet e njëjta ngritet në këmbë dhe mundohet të ikë.
Por, aktakuza thotë se i akuzuari arrin ta kapë për flokësh dhe merr një tavolinë druri e godet pa mëshirë kryesisht në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, derisa kjo tavolinë thyhet në kokën e të dëmtuarës, e kjo e fundit mbetet e shtrirë për dysheme pa ndjenja dhe tërësisht e gjakosur, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, Sh.P., akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.