Në seancën e mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, është propozuar vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Ky vendim i prezantuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës.
92 deputetë ishin të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen energjetike në vend.
Me këtë rast pro vendimit të Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji kanë votuar gjithsej 65 deputetë, shkruan lajmi.net.
Sipas Rizvanollit, këtë vit ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për gjashtë për qind, krahasuar me një vit më parë. Dhe nëse vazhdon rënia e konsumit, kriza e energjisë do të tejkalohet më lehtë.
Masat e emergjencës ndër tjera përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet./