Prokuroritë Themelore në Republikën e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit kanë ngritur 57 aktakuza për vepra të ndryshme penale, ku përfshihen 67 persona.
Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të Prokurorisë së Shtetit, ku thuhet se pesë prej tyre janë për dhunë në familje.
Në raport thuhet se me urdhër të prokurorëve, 9 persona janë ndaluar për 48 orë, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale si dhe janë bërë 4 kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj 8 të dyshuarve për vepra të ndryshme penale.
Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa Prokuroritë Themelore në Pejë, Gjilan dhe Ferizaj, kanë ngritur nga një aktakuzë për dhunë në familje.