Ditën e sotme është mbajtur masa në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, për shtetasit Arben Ferizi dhe Egert Vargu me gjykatës Vladimir Skënderin dhe u caktua masa “arrest me burg” pa afat për shtetasin Arben Ferizi dhe “arrest me burg me afat” 18 ditë për shtetasin Egert Vargu, lidhur me ngarkesën e kokainës të gjetur pak ditë më parë në portin e Durrësit.
Arben Ferizi dhe Egert Vargu i kanë qëndruar deklaratave te tyre të mëhershme ku Ferizi është shprehur se nuk ka lidhje me drogën. Sipas tyre kompania ka porositur mish pule dhe të gjithë veprimet i kryejnë online dhe në këtë mënyrë nuk kanë nga ta dinë se çfarë ka në kontejnerë.
Ferizi ka deklaruar se kompania ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme, prandaj nuk e ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ai deklaroi se kompania nuk ka asnjë lidhje, nuk ka dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner.
Sakaq Egert Vargu me detyrë agjent doganor ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Sipas tij ai ka për detyrë të ndjekë procedurat e zhdoganimit dhe jo të kontrollojë kontenierët.