Të paktën 43 klinika nëpër Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë më mundësinë e aborteve, pasi Gjykata Supreme ka përmbysur një ligj që mundësonte këtë procedurë.
Këto të dhëna janë publikuar nga Instituti Guttmacher, grup kërkimor që mbështet qasjen në aborte.
Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA – mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë.
Prej vendimit të Gjykatës – të marrë më 24 qershor – 11 shtete kanë ndaluar abortet pas javësh së gjashtë të shtatzënisë apo tërësisht procedurën.
Si rezultat 43 klinika – duke përfshirë 23 në Teksas, pesë në Okllahama dhe pesë në Allabama – nuk ofrojnë më këtë shërbim.
“Gjendja veçse e mjerueshme në qasjen për abort do të vazhdojë të përkeqësohet, pasi më shumë shtete do të miratojnë ndalesa në abort në javët apo muajt vijues”, kanë thënë autorët e studimit.
Disa shtete, sikurse Luiziana dhe Dakota Veriore, kanë ligje për ndalim të aborteve.
Rreth gjysma e shteteve amerikane, sidomos në jug, pritet që të ndalojnë tërësisht këtë procedurë. /REL