Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Homazhe ne këtë memorial kanë bërë edhe pjesëtarë të FSK-së.
Shënohet 25-vjetori i Epopesë së Dukagjinit
Sot bëhen 25 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet Epopeja e Dukagjinit.
Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete, e cila njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar nga ora 11:30 bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ndërsa nga ora 11:40 Kurti, viziton familjen Haradinaj.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.
Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./21Media