Gjykata Themelore në Prizren, të hënën ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin, Sylejman Ahmeti, duke e dënuar me 24 vite e 10 muaj burgim ku akuzohet se privoi nga jeta të ndjerin Sh.K.
Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatës Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Ahmeti akuzohej për vrasje të rëndë për të cilën vepër gjykata i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 24 vite kurse për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.
Me këtë rast gjykata në bazë të nenit 76 të KPPK ka shqiptuar dënimi unik prej 24 vite e 10 muaj.
Të akuzuarit Ahmeti i është konfiskuar arma AK-47.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.
Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L. e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqin dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.
Me këto veprime, Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi