Në ngjarjen e ndodhur të dielën në Stamboll, raportohet se gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 81 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Lidhur me këtë rast ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, ka raportuar se janë arrestuar 21 persona të dyshuar.
“Është organizatë terroriste PKK/PYD sipas gjetjeve tona paraprake,” tha Soylu në një konferencë shtypi shkruan CNN, përcjell lajmi.net.
Soylu nuk shtjelloi apo dha detaje se si hetuesit kishin arritur në këtë përfundim.
Po ashtu, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, incidenti është konsideruar si një sulm terrorist edhe nga ana zëvendëspresidentit turk Fuat Oktay.
Sipas ministrit turk të Drejtësisë Bekir Bozdag dyshohet tek një grua e cila kishte qëndruar e ulu në një qosh për më shumë se 40 minuta dhe më pas është ngritur një ose dy minuta para shpërthimit, duke lënë pas një qese. Kjo shihet edhe në pamjet e CNNTV.
“Emri i gruas nuk dihet. Të gjitha regjistrimet dhe të dhënat për gruan janë duke u analizuar”, është shprehur Bozdag.
Kujotjmë se nga Ambasada e Kosovës në Ankara, është bërë e ditur se në bazë të informatave të siguruara nga autoritetet relevante, në mesin e viktimave dhe të lënduarve nuk gjendet asnjë shtetas i Kosovës.