Pesë persona nga Kosova janë arrestuar nga policia e Shqipërisë në Rinas. Ata dyshohet se do fusnin në Shqipëri barna të dyshuara të kontrabanduara që më pas përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç”, njoftoi policia.