Ballina Lajme Zeka në mbrojtje të Brovinës, e quan gënjeshtar Avdullah Hotin

Zeka në mbrojtje të Brovinës, e quan gënjeshtar Avdullah Hotin

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, i ka dalë në mbrojtje deputetes së PDK-së Flora Brovina për publikimin e fotografisë, për të cilën pretendonte se ishte shkrepur gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Duke komentuar deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, deputeti Zeka ka bërë një krahasim të dëmit politik që ky i fundit ka bërë, duke mohuar se ka qenë prezent në rrahjen e anëtarëve të Kuvendit të LDK-së në Mitrovicë.

Ai ka përkujtuar se është vetë Hoti ai që kishte akuzuar Brovinën për fotografinë, ndërkohë që vetë ‘gënjen qëllimisht’ lidhur me rastin në Mitrovicë.

Zeka: Disa deputetë edhe 200 vjet jetë t’i kenë s’mund t’i afrohen te thembra Brovinës

“Tash më vjen keq që nuk është Avdullahu këtu për t’u ballafaquar me të. Do të thotë kur një njeri universitar, shef i grupit parlamentar, ish-ministër, del e rren qëllimshëm, imagjinoni vuajtjet e Flora Brovinës, torturat nëpër burgje, humbja e memories, dridhja kur fol për gjërat të cilat ajo vetë i ka përjetuar dhe që është marrë me të gjitha këto poshtërsi dhe fyerje që na i ka bërë regjimi shqiptaro-serb… Unë, zoti kryetar, të vetmin gabim që e shoh të partisë që e drejtoni dhe tëndin si kryetar, është që ju ish dashtë që me kërkuar falje dhe mos me dhënë asnjë koment. Kërkim falje opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Por më falni, disa deputetë këtu, edhe 200 vjet jetë me i pas, nuk mund t’i afrohen te thembra Flora Brovinës”, u shpreh ai.

Duke u ndjerë krenar me të kaluarën e Kadri Veselit, Zeka tha se e mbështet iniciativën e tij për krijimin e Tribunalit, por që nuk beson që do realizohet.

Madje, ai ka kërkuar nga Veseli që të mos jetë modest me njerëz të caktuar. E sipas tij, janë edhe shqiptarët ata që kanë rrahur, fyer e poshtëruar kombin, prej kohës së Rankoviqit.

Zeka: Kryetar, nëse nuk guxon me i ngi SHIK, tregomë i ngij unë

“Këta faqezi kanë urrejtje patologjike ndaj teje e ndaj meje, e ndaj të gjithë neve. Edhe toka me u bë bashkë me qiell këta kurrë nuk na falin që ia kemi vrarë nënën në Jugosllavi e motrën në Serbi. Kurrë, kurrë. Këta edhe ëndrrat i shohin serbisht, kryetar. E ti do me u bë jaran me ta, ‘hajt se për hir të kaluarës, ne do të vazhdojmë’. Me kënd do të vazhdosh, me ata që na i kanë lënë nënat tona duke vajtuar për neve e na kanë përzënë në ekzil për 20 vjet, deri jemi kthyer në luftë, me ata që na kanë spiunuar 24 orë, me ata që na i kanë dhunuar nëpër dhomat e hetuesisë gratë tona, motrat tona? Me ata do të bëjnë koalicion e do të paraqitemi të civilizuar, jo kryetar. Prandaj, të lutem edhe njëherë, kur iu thua nganjëherë ‘kam me iu ngi SHIK’, mos guxofsh me i ngi, thirrëm unë i ngij, qetu dal në foltore”, tha ai.

Në fund, Zeka tha se i është dukur ide brilante që objekti i kishës ortodokse serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës të shndërrohet në muze të krimeve serbe në Kosovë.