Ballina Sport Xhaka e Rashica të gatshëm për ndeshjen e sotme

Xhaka e Rashica të gatshëm për ndeshjen e sotme

Yjet e futbollit shqiptar, Granit Xhaka dhe Milot Rashica do të krijojnë nga një skuadër me shokët e tyre për t’u përballur me njëri-tjetrin dhe për të dhuruar spektakël për futbolldashësit në Kosovë.

Sonte në orën 20:00 ekipet e Xhakës dhe Rashicës do të zbresin në “Fadil Vokrri”.Ismet Munishi e Afrim Tovërlani do të jenë trajnerët e ekipeve.

Ndërkaq në konferencën para ndeshjes u paraqiten kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu kapitenët e dy skuadrave, Milot Rashica dhe Granit Xhaka, si dhe këngëtari Ledri Vula e boksieri Haxhi Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti falënderoi dy akterët kryesor të ndeshjes së sotme Granit Xhakën dhe Milot Rashicën duke i cilësuar si ambasadorët më të mirë të Prishtinës.

Ahmeti: Sonte do të jetë një festë sportive në Prishtinë

“Siç e dini kjo është pjesë e 20/20, 20, aktivitete për 20 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, do të udhëhiqen skuadrat nga dy trajnerët, Ismet Munishi dhe Afrim Tovërlani do të jenë trajnerët e dy skuadrave sonte. Interesimi ka qenë i madh, po iu them për bileta për këtë lojë dhe po ashtu veç se kanë filluar inatet se kush ka me fitu. I pash që në rrjetet sociale që kishin filluar me fol, kështu që kjo lojë do të jetë gjithçka pos miqësore. Do të kemi betejë të fortë për fitore. Unë dua t’i falënderoj të gjithë më së pari Granitin dhe Milotin që kanë pranuar. E di që e kanë pushimin e shkurtër para se të fillojnë përgatitjet me klubet e tyre dhe që disa ditë të këtij pushimi t’i humbim për të ardhur këtu, por megjithatë me këtë e tregojnë atë që e kanë treguar gjithmonë”, tha Ahmeti.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu çmoi dy futbollistët Xhaka e Rashica, për të cilët tha se janë krenaria jonë.

Salihu: Kemi kënaqësinë si Federatë të organizojmë këtë ndeshje

“Kënaqësi që në emër të Federatës t’i përshëndes të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim. Sigurisht që me kënaqësi e kemi marrë ofertën tuaj për të bashkë-organizuar, për arsye se futbolli është sporti që bashkon të gjithë. Një falënderim i veçantë, sepse e di sa e rëndësishme është koha për futbollistët tanë që janë krenaria jonë, jo vetëm në Kosovë, në Zvicër por janë bërë yje botërore, kështu që duhet me ç’mu këtë. Po ashtu, edhe nga komuniteti artistik Haxhi Krasniqin, Ledrin dhe të gjithë të tjerët që do të jenë sot në këtë ndeshje. Shpresoj që të jem në numër sa më të madh,” tha Salihu.

Granit Xhaka pohoi se kjo ndeshje pritet të jetë një ndeshje tejet e mirë duke parë edhe interesim e madh nga qytetarët e Prishtinës.

Xhaka: Kënaqësi të jem në Prishtinë

“Është një kënaqësi me qenë këtu me të gjithë me shokë, me miq për një lojë humanitare për shumë familje tjera. E kam thënë edhe dje në intervistë, jam shumë shumë krenar me kombëtaren e Kosovës si është duke vazhduar. Milotin, Ledrin edhe Haxhin i kam shumë shokë të mirë, ku kemi edhe privat kontakt. Faleminderit që mundem me qenë këtu edhe do të bëjmë një ndeshje shumë të bukur sot”, tha Xhaka.

Ndërsa, Milot Rashica futbollisti i Ëerder Bremenit dhe i përfaqësuese së Kosovës, tha se ndeshja do të jetë tejet miqësore dhe në fund le të fitojë më i miri.

Rashica: Le të fitoj më i miri

“Edhe për mua është një kënaqësi shumë e madhe që kam pasur mundësi edhe kam rastin me qenë këtu me juve. Normalisht një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Shpresoj që ka me qenë një ndeshje sa më e mirë, të kënaqemi të gjithë publiku dhe në fund të fitoj më i miri”, tha Rashica.

Ndërkaq të pranishëm në konferencë ishin edhe boksieri Haxhi Krasniqi, si dhe këngëtari Ledri Vula të cilët e çmuan lartë këtë organizim duke theksuar se Prishtina ka nevojë për organizime të tilla, sidomos ku në to marrin pjesë lojtarët të cilët janë duke na bërë krenar.

Në fund të dy futbollistët, Xhaka dhe Rashica, janë nderuar nga Ahmeti me “Çelësin e Prishtinës” për promovim të kryeqytetit në botë.