Ballina Lajme Veseli: Serbia duhet të përgjigjet

Veseli: Serbia duhet të përgjigjet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se në vendet e Ballkanit perëndimor nuk duhet të jetohet në frymën e konfliktit, pasi ka perspektivë dhe duhet të marrim përgjegjësi, duke respektuar të drejtat e serbëve, por edhe duke u kujdesur për Luginën e Preshevës.

Veseli i bëri këto komente në takim me strukturat e reja në Degën e Partisë Demokratike në Drenas, ku ka shprehur bindje se nga ky proces i brendshëm zgjedhor, kanë dalë edhe më të fortë.

“Në qoftë se më herët kemi arritur lirinë, pse sot nuk mund ta arrijmë zhvillimin ekonomik?”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se do të eliminojmë çdo parregullsi e fenomen korruptiv.

“Do të eliminojmë çdo parregullsi e fenomen korruptiv. Në të njëjtën kohë do të zhvillojmë politika inkurajuese, ta bëjmë Kosovën si vendet e BE-së, përmes vizionit të qartë të ndërmarrësisë, njerëzve inovatorë e punëtorë, ndërmarrës, fermerëve e edukatorëve. Ky duhet të jetë drejtimi ynë”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së ka folur edhe për iniciativën e tij për Tribunalin për gjenocidin serb.

“Serbia duhet të përgjigjet, këtu në mes të Drenicës, flakët e luftës e kanë munduar më së shumti. Ne nuk duhet të jetojmë në frymën e konfliktit por ne në Ballkanin perëndimor, kemi perspektivë, duhet të marrim përgjegjësi, në rend të parë PDK-ja, duke respektuar të drejtat e serbëve, por edhe duke u kujdesur për Luginën e Preshevës”, ka thënë Veseli.

Ai ka ftuar që të shfrytëzohen resurset humane dhe natyrore, për krijimin e bizneseve të reja dhe fuqizimin e atyre ekzistuese.

“Të kemi prodhime vendor dhe punësim. Ndërmarrësit tanë të kenë perspektivë, këtë ne mund ta arrijmë. Jemi krenar për të kaluarën, të përgjegjshëm për sukseset dhe gabimet, por jemi të vendosur për një Kosovë perëndimore, të zhvilluar, ku njerëzit jetojnë edhe me mirë”, ka thënë Veseli.

Ndërsa gjatë takimin me strukturat e reja të degës së PDK-së në Dragash, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se PDK nuk do të lejojë brenda vetes njerëz që e kanë keqpërdorur partinë për qëllime personale.