Ballina Lajme Thaçi flet për fushatën e Ivica Daçiq kundër shtetësisë së Kosovës

Thaçi flet për fushatën e Ivica Daçiq kundër shtetësisë së Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para gazetarëve para nisjes për në forumin e Bratislavës, ku ka treguar se atje nuk do të ketë takim të veçantë me homologun serb, veçse do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi në kuadër të panelit.

Nga aeroporti Adem Jashari në Prishtinë, Thaçi ka thënë se nuk duhet marrë me fushatat ofenduese të Serbisë dhe Ivica Daçiq, meqë dihet botërisht realiteti i Kosovës së pavarur.

Thaçi tha se në forum do të diskutohet për aktualitetin qe e ka Kosova, dhe aty do të prezantojë të arriturat e shtetit të Kosovës, në prag të 20 vjetorit të çlirimit.

Thaçi: Nuk do të ketë takim të veçantë me Vuçiqin

“Do të jetë një mundësi që të diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi”, për mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare dhe historike. Do të jetë një debat jo i lehtë, edhe me presidentin e Serbisë Vuçiq ju i dini dallimet tona të mëdha që i kemi sa i përket aktualitetit ne rajon dje raportet ndërfqinjësore Kosovë-Serbi. Do të ritheksojmë qartë se dialogu Kosovë – Serbi duhet të vazhdojë pa kushtëzuar me synim që të përmbyllet ky proces historik, jo i lehtë, shumë i rëndë……Do të kemi diskutim paneli edhe me presidentin e Serbisë , takim të veçantë nuk do të ketë, shpresoj do të kemi një mbështetje të liderëve të tjerë mundësi të përafrimit të pozicioneve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, nuk do të pranojmë kushtëzime nga Serbia për vazhdimin e dialogut”, tha Thaçi.

Ai tha se taksa 100% duhet të mbetët në fuqi derisa Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës. Thaçi tha se marrëveshja Kosovë-Serbi do të nënkuptonte paqe dhe stabilitet për tërë Ballkanin Perëndimor. Presidenti i Kosovës komentoi edhe veprimet e fundit të ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili ka filluar një fushatë kundër shtetësisë së Kosovës, duke shkruar në kartëmonedha “Kosova është Serbi”.

Thaçi: Mos të humbim kohë duke u marrë me slogane poshtëruese

“Kosova sa më pak që mirret me njerëz të tillë të tejkaluar dhe pa asnjë ndikim as ne Serbi, më mirë është. Mos të humbim energji duke u marrë me sllogane poshtëruese, ofenduese dhe shumë të ulëta të një njeriu me përgjegjësi direkte për gjenocidin e kryer. Andaj mendoj. se ne duhet të fokusohemi në punët tona jo në parullat dhe mitet që Serbia mund të prezantojë për Kosovën. Është e qartë, jo vetëm për ne por për të gjithë botën, Kosova është vend i lirë i pavarur, është atdhe i gjithë qytetarëve të saj. Serbia është një fqinj me pro-rus në botë përball Kosovës. Orienti ynë është i qartë euroatlantik, se cili është realiteti ynë flet bota dhe jo Beogradi, kjo fushatë është me tepër denigruese për vet ata”, tha ai.

Edhe njëherë, presidenti Thaçi tregoi se do të vazhdojë të “luftojë” për realizimin e idesë së tij për korrigjim kufijsh.

Thaçi: Do të ishte jetike përmirësimi i padrejtësive historike

“Në Prishtinë dhe kudo që jemi do të vlerësoj se do të ishte jetike përmirësimi i padrejtësive historike ku do të përfshihen me territorin e Kosovës Presheva, Medvegja, Bujanoci, pa u cenuar territori i Republikës së Kosovës asnjë milimetër”, tha ai.

Në forumin në Bratislavë do të ketë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, para të cilëve, Thaçi tha se do të ritheksojë domosdoshmërinë që të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën sa më shpejt që është e mundur. Ai tha se duhet të marrë fund diskriminimi dhe izolimi që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.