Ballina Lajme ‘THAÇI DO TA SHKELË KUSHTETUTËN NËSE VAZHDON DIALOGUN ME SERBINË’

‘THAÇI DO TA SHKELË KUSHTETUTËN NËSE VAZHDON DIALOGUN ME SERBINË’

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëse do të vazhdojë dialogun me Serbinë tani pasi Qeveria e Kosovës është në dorëheqje, do të shkelte Kushtetutën e Kosovës, që do të thotë edhe fundin e mandatit të tij, tha ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Paci.

Paci tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociues të Kosovës është shumë i qartë: “Presidenti mund të ketë vetëm një rol këshillues, ndërsa qeveria është institucioni që udhëheq dialogun”.

Ai thotë se pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit, Kosova nuk ka vakum institucional, pasi Qeveria e Ramush Haradinajt është funksionale deri në zgjedhjet e reja.

“Kjo do të thotë se tatimi nuk mund të shfuqizohet deri në atë moment (për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina). Nëse presidenti përpiqet të negociojë në emër të Kosovës, ai do të shkelë Kushtetutën, që nënkupton fundin e mandatit të tij,” tha Peci për agjencinë serbe të lajmeve BETA.

Megjithëse të gjitha partitë parlamentare kanë deklaruar se është e nevojshme të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, Peci thotë se është tepër herët për të folur për koalicione të mundshme parazgjedhore, transmeton KosovaPress.