Ballina Sport Skender Potera fitues i Drag Race II

Skender Potera fitues i Drag Race II

Skender Potera me Audi S2 e ka fituar edhe Drag Race II, për këtë vit, i cili këtë fundjavë u mbajt në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.

Potera jo vetëm që ka triumfuar, por ka arritur edhe rekord, pasi distancën prej 402 metrave e kaloi për kohën fantastike prek 08.336 sekonda.

“Ishte një garë e mirë dhe organizim i mirë. Për çdo garë po vijnë vetura të reja, atraktive dhe kjo është mirë edhe për shikuesit. Jam i kënaqur me rezultatin dhe sigurisht edhe për rekordin e arritur, por ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë dhe të shohim ku do të jemi në të ardhmen”, ka thënë Potera pas përfundimit të garës.

Derisa Potera nuk pati konkurrencë dhe ishte i vetmi në klasën 8 sekonda, në klasat tjera gara u zhvillua me shumë rivalitet.

Garat u zhvilluan në tri divizione, në veturat që tërheqin me rrotat e para (FWD), ato me rrota të pasme (RWD) dhe veturat që tërheqin me katër rrota (AWD).

Federata e Auto Sportit e Kosovës edhe kësaj here për fituesit ndau kupa dhe dhurata, ndërsa përkundër temperaturave tepër të larta, shikuesit (numri i të cilëve pikërisht për këtë arsye nuk ishte shumë i madh) patën durim të përcjellin garën deri në fund. Gjithsesi, festa e madhe do të ndodhë në Drag Race të radhës që mbahet në gusht