Ballina Lajme Shtyhet shqyrtimi i raportit për Menaxhimin e Komplekseve memoriale

Shtyhet shqyrtimi i raportit për Menaxhimin e Komplekseve memoriale

Raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve memoriale të Kosovës për vitin 2018 i cili është kërkuar të jetë i plotësuar është shtyrë për një takim të radhës pasi që ky agjencion ende nuk ka arritur t’i mbledh të dhënat e kërkuara nga anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

Bislim Zogaj, kryetari i agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës lidhur me prezantimin e të gjithë lapidarëve tha se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se rreth 50 për qind të punës e kanë përfunduar.

Megjithatë, tha se për të marrë informacione lidhur me të dhënat e vendndodhjes së lapidarëve nuk kanë hasur në bashkëpunim me kryetarët e komunave dhe që është dashur këto të dhëna ti kërkojnë nga administratorët e fshatit.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka kërkuar që Agjencioni të këmbëngul që këto të dhëna të kërkohen nga kryetarët e komunave, pasi sipas saj, të dhënat që vinë nga administratorët nuk mund të jenë të sakta.

Me këtë u pajtua edhe deputeti i Vetëvendosjes, Sali Zyba.

Edhe deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, teksa e ka lavdëruar punën e agjencionit për grumbullimin e të dhënave për lapidarët propozoi që të presin të plotësohet raporti dhe pastaj të votohet.

Në këtë mbledhje të komisionit për Bujqësi deputeti Sai Zyba ka kërkuar që të diskutohet për hidrocentralet dhe gurthyesit dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Ambientin por një propozim i tillë nuk kaloi.

U vendos qe të ftohet ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe banorët nga vendet ku ndodhen këto hidrocentrale dhe gurthyes dhe te diskutohet për gjendjen.