Ballina Lajme SHSKUK dënon sulmin ndaj mjekut Sefedin Fazliu

SHSKUK dënon sulmin ndaj mjekut Sefedin Fazliu

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njofton se mbrëmë në vendin e tij të punës është sulmuar dr. Sefedin Fazliu, shef i emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, derisa po u ofronte ndihmë të lënduarve nga një aksident trafiku.

Mjeku i sulmuar mbrëmë edhe pas sulmit ndaj tij ishte kthyer prapë për të vazhduar ndihmën ndaj pacientit në fjalë si dhe pacientëve tjerë nga një aksident trafiku. Ai njihet për sjellje korrekte dhe të përgjegjshme ndaj palëve, thuhet në reagim.

SHSKUK dënon me këtë rast sulmin ndaj mjekut specialist në detyrë, gjatë dhënies së ndihmës pacientit të hospitalizuar dhe trajtuar sipas protokolleve të sëmundjes emergjente.

“Aktet e tilla të ushtrimit të dhunës ndaj mjekëve në detyrë në institucionet publike, janë të pa pranueshme dhe të dëmshme, e të cilat e dëmtojnë rëndë imazhin dhe dinjitetin e mjekut, por e dëmtojnë edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.

SHSKUK kërkon nga organet e drejtësisë të merren me rastin me në fjalë dhe sulmuesin e mjekut ta nxjerrin si përgjegjës.