Ballina Lajme Prokurori special:Të mos kompensohen zyrtarët publik për punën sekondare

Prokurori special:Të mos kompensohen zyrtarët publik për punën sekondare

Nga të gjeturat e monitorimit të zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ka pasur mos informim lidhur me kufizimin e zyrtarëve të lartë në ushtrimin e veprimtarive tjera krahas funksionit publik.

Nga të gjeturat e monitorimit të zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ka pasur mos informim lidhur me kufizimin e zyrtarëve të lartë në ushtrimin e veprimtarive tjera krahas funksionit publik, mosshfrytëzimi i sanksioneve për shkelësit e ligjit, mungesa e rregullave të veçanta brenda çdo institucioni për parandalim të konfliktit të interesit, si dhe institucionet publike nuk dorëzojnë raporte vjetore te AKK dhe të njëjtat nuk sanksionohen.

Kështu u tha sot në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu theksoi se Kuvendi i Kosovës apo Komisioni për Legjislacion nga ky monitorim rezulton ose obligon Qeverinë e Kosovës që të plotësojë nenin 3 të ligjit të përkufizimit që të përfshijë shprehje tjera, si ushtrimi i ndikimit, i privilegjuar dhe hetimin administrativ pasi janë shfaqur paqartësi në interpretim të këtyre termave.

Deputetja Haxhiu deklaroi se duhet të plotësohet Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke obliguar harmonizimin e të gjitha ligjeve që ndikohen nga neni 12 dhe 13.

Ajo tha se vetëm Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë bashkëpunuar në monitorimin e zbatimit të këtij Ligji.

Haxhiu: Pjesa e mekanizmit ndëshkues ka mbetur vetëm në letër

“Mosshfrytëzimi i sanksioneve për shkelësit e ligjit, neni 23 I ligjit ka paraparë edhe masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit, për parandalimin e konfliktit të interesit. Si duket pjesa e mekanizmit ndëshkues ka mbetur vetëm në letër, sepse asnjë ndëshkim nuk është bërë, që në fakt është obligim ligjor. Pastaj institucionet publike nuk dorëzojnë raporte vjetore tek AKK dhe të njëjtat nuk sanksionohen. Asnjë institucion që ne kemi vizituar nuk ka dorëzuar raport për Agjencionin Kundërkorrupsion”, theksoi Haxhiu.

Prokurori special Besim Kelmendi, është pajtuar me të gjitha të gjeturat, por tha se nuk ka parë një rekomandim të Kuvendit për harmonizim të ligjeve që gjatë orarit të punës zyrtarët të mos kompensohen për punën dytësore. Sipas tij, harmonizimi i ligjeve duhet të ndodhë për parandalimin e konfliktit të interesit.

Kelmendi: Zyrtarët publik për punën sekondare nëpër Borde ose Këshill, të mos kompensohen

“Nëse është vullneti për të kontribuar në një Këshill apo bord, të mbetet në vullnetin e zyrtarit të lartë për t’i kryer këto shërbime pa pagesë. Përndryshe, unë jam që këta zyrtarë të cilët gjatë orarit të punës angazhohen në detyra të tjera të mos marrin kompensim apo shpërblim për punën që bëjnë si punë të dytë ose angazhim të dytë. Kjo mund të ndodhë vetëm me harmonizimin e ligjeve”, tha Kelmendi.

Përfaqësuesi ekzekutiv i Odës së Avokatëve, Florin Shefqeti, tha se neni 13 duhet të rishikohet në tërësi.

Shefqeti: Neni 13 duhet të rishikohet në tërësi

“S’kemi pasur mundësi me dërguar komente, sepse s’e kemi pasur pyetësorin më herët. Si do që të jetë po besoj që për ligjet e tjera kemi pasur një komunikim, dhe kemi vendosur që për shumicë të ligjeve që vijnë nga Kuvendi. P.sh, për Ligjin e Punës ne si Odë e Avokatëve të Kosovës kemi dëgjuar veç prej mediave kur ka kaluar në shqyrtimin e parë në Kuvedn, ku kemi parë pastaj që ka qenë një situatë jo e këndshme dhe nuk është përfshirë Oda asnjëherë. Sa i përket ligjit përkatës, sidomos te neni 13 ka nevojë të rishikohet në tërësi”, deklaroi Shefqeti.

Ndërsa, Lindita Ademi nga Agjensioni Kundër Korrupsion theksoi se rreth 90 për qind e rekomandimeve janë plotësuar me raportin për zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Edhe deputeti Hajdar Beqa, theksoi se ligji ka hyrë në fuqi në procedurë të shpejt, andaj për këtë është organizuar ky dëgjim publik që Ligji të jetë sa më i zbatueshëm nga institucionet e përkatëse.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka hyrë në fuqi në prill të vitit të kaluar në procedurë të shpejtë