Ballina Lajme Policisë së Kosovës i shtohen edhe 416 pjesëtarë

Policisë së Kosovës i shtohen edhe 416 pjesëtarë

Nga sot Policisë së Kosovës iu kanë shtuar edhe 416 zyrtarë policorë, të cilët zyrtarisht do të nisin punën nga java e ardhshme.

Me rastin e diplomimit të gjeneratës së 54-të të Policisë së Kosovës, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, theksoi se sot policia është një organizatë e strukturuar mirë me të gjitha kapacitetet organizative, me infrastrukturë ligjore, me pajisje teknike dhe teknologjike dhe kapacitete njerëzore adekuate.

Qalaj tha se policia ka shumë detyra, duke u nisur nga ruajtja e jetës dhe pronës dhe duke përfunduar deri te sigurimi i kufirit shtetëror.

Ai mes tjerash tha se puna e zyrtarëve policorë është mjaft e vështirë dhe sfiduese, mirëpo një punë mjaft e çmuar nga qytetarët e Kosovës, për çka kërkoi nga kadetët e rinj trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Qalaj: Kemi për detyrë ruajtjen e jetës, pronës deri te sigurimi i kufirit shtetëror

“Do të jetë një punë mjaft e vështirë, një punë mjaft sfiduese, mirëpo një punë shumë e çmuar nga qytetarët e Kosovës. Meqenëse ju do të shërbeni, do t’i mbroni qytetarët dhe pronat, dhe shumë shpesh do të shpëtoni jetë. Ky është dhe misioni ynë, që ne të shërbejmë dhe vetëm të shërbejmë. Të shërbejmë popullit të Kosovës, t’i trajtojmë të gjithë të barabartë dhe ti konsiderojmë secilin individë në vend, anëtarë të familjes së madhe të Kosovës. Ne kemi shumë detyra, duke u nisë nga ruajtja e jetës dhe pronës dhe duke përfunduar deri te sigurimi i kufirit shtetëror”, theksoi Qalaj.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa duke iu drejtuar kadetëve të rinj, tha se ata tashmë po bartin uniformën që ka një besueshmëri të madhe nga qytetarët, andaj, duhet angazhim që të mbahet kjo besueshmëri duke respektuar ligjet në fuqi dhe të drejtat e njeriut.

Mustafa: Edukimi komponentë e rëndësishme e zhvillimit të një sistemi

“Edukimi është komponentë më e rëndësishme e zhvillimit të një sistemi me standarde të pranueshme dhe në hap me zhvillimin modern si dhe me risitë teknologjike. Ajo që ju keni mësuar reflekton në kualitetin profesional që shohim te policia e Kosovës… Është shumë me rëndësi që profesionalizmi dhe mirëmbaja e kësaj besueshmërie, të bëhet duke e zbatuar ligjin në përgjithësi dhe ruajtja e të drejtave të njeriut”, tha Mustafa.

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë Kosovare për Siguri Publike, Ismail Smakiqi i cili ka kërkuar nga kadetët e rinj që profesionin e tyre ta ushtrojnë ndaj qytetarëve pa asnjë dallim, tha se për 34 javë në Akdemi, kadetët kanë fituar njohuri dhe shkathtësi të nevojshme për të shërbyer vendit.

Smakiqi: Kadetët kanë fituar njohuri dhe shkathtësi të nevojshme

“Ju gjatë këtyre 34 javëve të kaluara në Akademi, keni fituar njohuri dhe shkathtësi të nevojshme që në një të ardhme të afërt të vazhdoni profesionin tuaj. Profesionin tuaj ushtroni në përputhje me kompetencat ligjore, duke iu shërbyer qytetarëve pa asnjë dallim”, deklaroi Smakiqi.

Ndërsa, në emër të gjeneratës ë 52-të, Pajtim Thaçi, tha se janë krenar që do t’i shërbejnë vendit në mënyrë profesionale dhe është zotuar se do t’i kryejnë detyrat në bazë të ligjit dhe me nderë.

Thaçi: Do të japim maksimumin për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

“Ne do të angazhohemi të japim maksimumin tonë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ne si zyrtarë të policisë së Kosovës, do ti mbrojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, theksoi Thaçi.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, ndërsa në këtë ceremoni morën pjesë edhe familjarë të shumtë të zyrtarëve të rinj policorë.

Në fund për të gjithë kadetët u shpërndanë certifikata pas përfundimit me sukses të Akademisë për Siguri Publike.