Ballina Lajme Osmani: Nuk kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, por nuk përzihemi në vullnetin...

Osmani: Nuk kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, por nuk përzihemi në vullnetin e deputetëve

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të kërkojë nënshkrimet e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë, por as nuk do të përzihen në vullnetin e deputetëve sa i përket përkrahjes së mocionit, pavarësisht etnisë apo grupit parlamentar që i përkasin.

Sipas tyre, synim kanë që të marrin përkrahjen e deputetëve të partive në pushtet.

Deputetja Vjosa Osmani tha se do t’i rikonfirmojnë 58 nënshkrimet e mbledhura deri tani, por tha se këto janë vetëm vota të opozitës.

Ajo tha se bashkëpunimin për rrëzimin e qeverisë e kërkojnë tek deputetët që janë pjesë e partive në pushtet.

Osmani: Nuk do t’i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë

“Ne nuk do t’i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë një gjë, kur hyjnë në Kuvend dhe vendoset mocioni në votim, ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individualë, ne nuk i përzihemi vullnetit të deputetit, pavarësisht etnisë që i takon, lidhur me mocionin që ne e propozojmë….Target, në aspektin pozitiv, i yni janë deputetët e pushtetit, të partive në pushtet të cilat janë duke shprehur mospajtime me mënyrën se si po qeveriset me Kosovën. Nëse ata i kanë seriozisht ato vërejtje, ndoshta nuk do të hezitojnë tre ose katër prej tyre të japin nënshkrimet që t’i kemi 61”, tha Osmani.

Ajo tha se të gjithë ata që sot ankohen në votat e Listës Serbe kanë marrë pjesë në mocionin kundër qeverisë së LDK-në në vitin 2017.

Osmani tha se janë në fazë të hershme me fol për votën meqë ende janë duke mbledhë nënshkrimet.

E deputeti Armend Zemaj tha se kërkesa për rrëzimin e Qeverisë ka qenë e domosdoshme.

Ai ftoi deputetët që sa më shpejt të vendoset mocioni në Kuvend, dhe ka kërkuar përkrahjen e të gjithë deputetëve për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Derisa u pyetën për idenë e bashkimit kombëtar, të përmendur kohët e fundit nga presidenti Hashim Thaçi, deputetja Osmani tha se nuk e marrin seriozisht asnjë ide të presidentit.

Sipas saj, Thaçi ka degjeneruar, për keqardhje, dhe po e dëmton institucionin të cilin e udhëheq.

Osmani: Presidenti të merret me patatet e bllokuara në Shqipëri pastaj të flas për bashkim kombëtar

“Arsyeja pse tani përnjëherë ka dalë me ide komplet të reja është për të mbuluar veprimet që po i bëjnë në teren lobistët e tij për ta quar përpara idenë e ndryshimit të kufijve… Le të mirret njëherë me patatet që po bllokohen në Shqipëri me e gjithë ato pengesa kurr nuk është marrë si kryeministër para se të dalë dhe të flasë gjëra të tilla. Ne si LDK nuk e marrim seriozisht çka thotë ai, tha ajo.

Osmani tha se shakatë e presidentit dhe jo-serioziteti i tij duhet thjesht të injorohen nga secili.

Armend Zemaj dhe Vjosa Osmani dolën në konferencë për media për të folur rreth të gjeturave në raportin e Komisionit Evropian, që ditë më parë iu dorëzua institucioneve të Kosovës.

Zemaj tha se raporti nënvizon progres të kufizuar në zbatimin e reformave evropiane, dhe se është shqetësues mos-zbatimi i programit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Zemaj: Ngecjet e paraqitura në raport shkak i lojës politike të kryetarit të Kuvendit

“Shkalla e zbatimit të masave legjislative të planifikuar për tu zbatuar brenda tre mujorit të parë, të gjeturat tregojnë si në vijim: 25.81% e masave janë zbatuar, 74.19% e masave akoma nuk janë zbatuar plotësisht, pra përballemi me vonesa serioze, e kjo është shkak i mosfunksionimit normal të Kuvendit të Kosovës, konkretisht nga gjendja dhe loja politike e kryetarit të Kuvendit, si shef i PAN-it, dhe këtij koalicioni qeverisës”, tha ai.

Ndërsa Vjosa Osmani tha se çështja e dialogut përmendet pak në raport, po sipas saj tashmë dihen qartë arsyet pse ky proces ka dalë nga binaret.

Osmani: Përfaqësues shtetëror të Kosovës e kanë vendosur statusin e shtetit në tavolinën e bisedimeve

“Arsyeja themelore pse i gjithë ky proces ka dalë jasht binareve dhe tani po keqpërdoret nga Serbia në turet e Daqiqit dhe përfaqësuesve tjerë institucional serb, për ta dëmtuar Kosovën është për shkak se ka përfaqësues shtetëror të vendit tonë që fatkeqësisht kanë arritur, në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës, kundërshtim me vullnetin e parlamentit dhe qeverisë, që ta vendosin statusin e Kosovës në tavolinë, duke kontestuar kufijtë e shtetit”, tha ajo.

Sipas saj, krejt kjo ka rezultuar në dështimin e këtij procesi, dhe Serbia vazhdon ta keqpërdore vullnetin që Kosova e ka pas për të marrë pjesë në dialog, duke parandaluar procesin e njohjeve dhe duke penguar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare