Ballina Lajme Në 20 vjetorin e çlirimit Obiliqi bëhet me Shtëpi të Kulturës

Në 20 vjetorin e çlirimit Obiliqi bëhet me Shtëpi të Kulturës

Në Obiliq është përuruar Shtëpia e Kulturës “Xhavit Haziri”.Kjo u bë në 20 vjetorin e çlirimit të kësaj komune nga okupatori serb.

Në ceremoninë e përurimit të Shtëpisë së Kulturës, projekt ky i cili ka kushtuar rreth 900 mijë euro, u tha se objekti do të shërbejë për të gjithë artistët.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi uroi të gjithë për këtë projekt, foli edhe punët në nivel nacional duke theksuar raportet Kosovë-Serbi.

Haradinaj tha se me Serbinë nuk ka çka të flitet për çështje të kufijve, por vetëm marrëdhënie diplomatike.

“Ka mbet me zgjedh çfarë marrëdhënie do të kemi a duam të njihemi reciprokisht, me vendos marrëdhënie diplomatike. Nëse nuk duam të njihemi, atij që ia refuzon ekzistencën nuk mundesh me ia marr tregun. Nëse Serbia e refuzon ekzistencën tonë, pse na me ja jep tregun. Ne po kërkojmë me ecë përpara me marrëveshje kornizë me ditë për çka kemi me fol”, tha Haradinaj, duke shtuar se tani po dëshirojnë që kohën më të madhe me ia kushtuar qeverisjes më të mirë dhe hapjes së vendeve të punës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi uroi të ketë sa më shumë aktivitete në këtë shtëpi dhe ta gëzojnë ansamblet, meqë siç tha ai është një prej objekteve më të bukura.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi foli për të arriturat në këtë komunë. Për Shtëpinë e Kulturës, tha se e njëjta do t’i shërbejë të gjithë artdashësve. “Sot për nder të ditës së çlirimit dhe heroit kombëtar Xhavit Haziri, po bëjmë inaugurimin e Shtëpisë se Kulturës me emrin e heroit kombëtar Xhavit Haziri. Kjo shtëpi do të ofrojë mundësi për te gjithë ata që e duan kulturën, këngën e vallen, teatrin dhe artin në përgjithësi”, tha Gashi. Ndër të tjera, Haradinaj dhe Gashi folën edhe për Ligjin për Obiliqin ku i bënë thirrje KEK-ut të respektojë këtë ligj, dhe marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës për punësim.