Ballina Kulture MKRS e ndalon vazhdimin e punimeve në Kalanë e Novobërdës

MKRS e ndalon vazhdimin e punimeve në Kalanë e Novobërdës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbështet plotësisht Vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve përmes të cilit Vendim ka ndërprerë të gjitha punimet në Kalanë e Novobërdës. Punime këto të iniciuara së fundi si rezultat i dëmtimeve në muret e Kalasë gjatë muajit mars 2019. Me gjithë angazhimet dhe konsultimet e deri tanishme, dëmtimet janë evidente edhe në këtë periudhe dhe për këtë arsye Instituti i Kosovës për Mbrojtje te Monumenteve- institucion përgjegjës ka ndaluar punimet.

Në këtë kuadër, ne kemi përcjellë shqetësimin dhe kërkesën në Zyrën e BE-së që të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për ndërmarrjen e masave të domosdoshme, meqë janë nënshkrues të marrëveshjes me UNESCO-n. Kompania e cila zbaton punimet është e përzgjedhur nga UNESCO prandaj presim që të njëjtit të marrin përgjegjësitë ligjore.

Punimet nuk do te lejohen të vazhdojnë deri në pranimin e raportit të detajuar të cilin e presim jo më larg se deri në fillim të javës së ardhshme. Në të kundërtën, marrë në konsideratë gjendjen e krijuar përfshirë këtu dhe rrethana tjera të sigurisë së monumentit, jemi të obliguar të ndërmarrim veprime tjera në konsolidim të gjendjes dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore dhe te tjera relevante.

Ministri Kujtim Gashi u shpreh se mbështet vendimin e IKMM-së dhe ka vlerësuar se është ky hap është më i duhuri për ta ruajtur dhe mos dëmtuar më tej një objekt jashtëzakonisht të rëndësishëm siç është Kalaja e Novobërdës.

“Ne kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me Institutin dhe vendimi që ka ndërmarrë ai është hap të cilin unë si ministër e mbështes sepse është obligim i yni që trashëgiminë tonë ta ruajmë dhe të kujdesemi për të”, tha ministri Gashi.