Ballina Lajme Mbeten në paraburgim 31 të arrestuarit në veri

Mbeten në paraburgim 31 të arrestuarit në veri

Mbetet në fuqi masa e paraburgimit kundër 31 të dyshuarve të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë në veri.

Gjykata e Apelit e Kosovës i refuzoi ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj 31 të pandehurve, duke bërë që të mbeten në fuqi aktvendimet e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit A.V-B, V.D, I.U, po dyshohen për shkak të veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e Ryshfetit”.

Të pandehurit I.J, A.I, F.I, B.U, N.J, XH.J, A.J, M.J, N.B, J.M dhe S.I, po dyshohen për shkak të veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale: “Tregtia e ndaluar” si dhe “Shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”.

Të pandehurit A.M, A.P, A.H, B.N, B.T, B.L, B.M, B.M, D. S, J.D, K.S, M.M, O.K, R.M, R.K, Z.B dhe Z.S, për shkak të veprës penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Gjykata e Apelit vlerëson se ekziston rreziku se të pandehurit mund të ikin ose arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, mund të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, ose mund ta përsërisin apo kryejnë ndonjë vepër të re penale.