Ballina Lajme Kuvendi i Kosovës përkujton masakrën e Dubravës

Kuvendi i Kosovës përkujton masakrën e Dubravës

Kuvendi i Kosovës ka përkujtuar 20-vjetorin e masakrës së Dubravës, në një seancë të veçantë, ku deputetët kërkuan që kriminelët të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë.

Në këtë seancë, deputetët e mbijetuar nga masakra e Dubravës rrëfyen edhe njëherë përjetimet e tyre, dhe treguan emrat e atyre për të cilët thonë se kanë dëshmi se janë përgjegjës për atë që ka ndodhur dy dekada më parë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova duhet të veprojë institucionalit dhe jo vetëm të numërojë plagët që ka.

Veseli: Kosova duhet të veprojë institucionalisht

“Çfarë është mesazhi që i japim gjeneratave të cilat vinë, të cilat do ta trashëgojnë Republikën e Kosovës, këtyre të rinjve që i kemi tani, është me veprimet tona të cilat janë tërësisht dinjitoze, respektit, a janë të mjaftueshme këto, a është e nevojshme që shteti i Kosovës veç të vajtojë, kryetari i Kuvendit, kryeministri, presidenti, deputetët, ministrat, dhe të flasin dhe të sjellin çdo herë vetëm fakte të cilat janë të dijshme, të gjithë i dinë, jeni ju, janë gjëra që i kemi parë, i dimë që dy dekada, apo të japim një mesazh që ne nuk vajtojmë, ne nuk jemi institut i statistikës për t’i numëruar plagët tona, por ne veprojmë, veprojmë institucionalit dhe kemi për të drejtuar orientimin dhe veprimet tona në atë drejtim”, tha ai.

Nait Hasani, i mbijetuar i masakrës, tash deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se që dy dekada drejtësia nuk është marrë me këtë rast. Ai tha se asnjë qeveri, dhe as institucionet e drejtësisë nuk e kanë çarë kokën për masakrën e Dubravës, për të cilën përmendi emrat e atyre që kanë qenë të përfshirë në krime.

Hasani: Asnjë qeveri nuk e ka çarë kokën për masakrën në burgun e Dubravës

“Deri më sot askush nuk e ka çarë kokën për këtë masakër në burgun e Dubravës, asnjë qeveri e jona nuk ka bërë asgjë, kanë hesht të gjithë më qëllim apo pa qëllim. Askush nuk di se kush ka kërkuar nga ndërkombëtarët që heshtin këtë masakër, këtë nuk e dimë ne por e dimë që të gjithë nuk kanë bërë asgjë që të zbardhet kjo masakër. Po për këtë masakër nuk ka çarë kokën as prokuroria e Pejës, 12 vjet, që kur e kemi bërë publik kallëzimin penal, ne emër të shoqatës së të burgosurve të Kosovës më 19 janar 2007. Për 12 vjet është heshtur kjo masakër, dhe kërkoj nga ministri i Drejtësisë të japë shpjegime pse është heshtur ky kallëzim penal i bërë nga Shoqata e të burgosurve politik në Prokurorinë e Pejës, dhe nga kush është heshtur”, tha ai.

E pse është heshtur kjo masakër, deputeti i PDK-së thotë se i di arsyet.

Hasani: Prokurorët në Kosovë të lidhur me pushtetin serb

“Unë mendoj se ish-prokurorëve e kryeprokurorëve në Kosovë, edhe UNMIK-ut, dhe EULEX-it, u ka dashur të heshtet ky krim e kjo masakër e tmerrshme, sepse së bashku këto tre institucione kanë qenë, janë të lidhura direkt apo indirekt me pushtetin kriminal serb”, tha ai.

Një tjetër i mbijetuar i masakrës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu tha se për masakrën e Dubravës ekzistojnë dëshmi dhe se aty kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt struktura shtetërore serbe.

Aliu: Ka fakte për masakrën e Dubravës

“Masakrës së Dubravës nuk i mungojnë dëshmitë dhe rrëfimet, as faktet dhe dokumentet, madje konsideroj se është një ndër krimet më të dokumentuara të Serbisë, të gjallë janë dëshmitaret e kësaj masakre e që një pjesë e tyre sot i kemi prezent këtu në këtë sallë. Të freskëta janë kujtimet. Edhe përkundër kësaj ,ende nuk ka drejtësi për këtë krim dhe për të gjitha krimet nga Serbia, as ndërkombëtarët e as ne nuk e bëmë punën që duhej bërë edhe përkundër ekzistencës së dëshmive dhe fakteve”, tha ai.

Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, i cili gjithashtu i mbijetoi kësaj masakre, përmendi emrat e personave që ai tha se kanë qenë të përshirë në kryerjen e krimeve me urdhër të qeverisë së Serbisë.

Selmanaj: Kriminelët shëtisin të lirë në Serbi

“Kujtoj se nuk është dëgjuar as për së afërmi përmasa e këtij gjenocidi. Kriminelët që vranë e masakruan të burgosurit shqiptar kanë emër dhe mbiemër, e ata janë: drejtori i burgut Aleksandër Kovaqeviq, komandanti i burgut Miki Didiq, mbikëqyrësi Branko Komatina, milici Gerka Igor, mandej gardianët Aca, Mitri, Mance, Pexha, e të tjerë, si dhe të burgosurit ordinerë serbë Sfetllan Martinoviq nga Vraka e Shkodrës, vrasës i familjes Sacaj nga Deqani. Të gjithë këta kriminelë shëtisin të lirë në Beograd, e vende të tjera në Serbi, ndoshta edhe gjithandej Evropës”, tha ai.

Në këtë seancë, shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se nuk është vonë për ndjekjen e krimeve.

Ndërkohë që një tjetër kërkesë që drejtësia të vihet në vend erdhi edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E deputeti i NISMA Milaim Zeka tha se shteti i Kosovës nuk ka bërë pothuajse asgjë për të burgosurit politik dhe as për masakrat, ndonëse ka mundur të prodhohen qindra filma dokumentarë që do ta tronditnin botën.